

Kryeministri britanik në largim, Keir Starmer, ka konfirmuar largimin nga politika, gjatë fjalimit të tij të fundit në Dhomën e Komunave, në Sesionin e Pyetjeve të Kryeministrit.
Në një fjalim me tone emocionale, Starmer falënderoi deputeten laburiste Carolyn Harris për mbështetjen ndaj tij dhe familjes së tij gjatë gjithë karrierës politike.
“Çdo kryeministër e di se, kur merr pishtarin, një ditë do t’ia dorëzojë dikujt tjetër. Ajo ditë ka ardhur për mua. Ky është fundi i udhëtimit tim politik”, deklaroi ai.
Starmer kujtoi se mori drejtimin e Partisë Laburiste pas humbjes së thellë në zgjedhjet e vitit 2019 dhe e udhëhoqi atë drejt fitores në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024.
Ai u shpreh krenar për punën e bërë gjatë dy viteve në krye të qeverisë, duke theksuar se e lë vendin në një gjendje më të mirë nga ajo që gjeti.
“Jam krenar për gjithçka që kemi arritur”, tha Starmer, teksa falënderoi kabinetin e tij, deputetët laburistë dhe administratën publike për bashkëpunimin.
Në fund të fjalës, ai premtoi mbështetje për qeverinë e ardhshme dhe i kushtoi një mesazh familjes së tij.
“Për të gjithë ata që kanë përfituar nga kjo qeveri dhe për ata që shpesh nuk dëgjohen, ju jeni arsyeja pse hyra në politikë. Gruaja dhe fëmijët e mi, ju dua. Mirupafshim”, përfundoi ai.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






