Transmetuar më 15-07-2026, 15:55

Një debat është zhvilluar gjatë mbledhjes së Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale mes kryetarit të komisionit, Fatmir Xhafaj, dhe Avokatit të Popullit, Endrit Shabani.

Përplasja nisi gjatë diskutimit mbi nivelin e zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga institucionet shtetërore.

Shabani deklaroi se vetëm 21% e rekomandimeve të institucionit që ai drejton janë zbatuar, duke u shprehur i pakënaqur me këtë situatë.

“Vetëm 21% e rekomandimeve të Avokatit të Popullit zbatohen. Nëse ju jeni të kënaqur në lidhje me këtë performancë, unë nuk jam”, tha Shabani.

Në përgjigje, Xhafaj i kërkoi atij të ndryshonte mënyrën e komunikimit.

“Me çfarë jemi të kënaqur dhe me çfarë jo… Duhet ta ndryshosh gjuhën, se po më flet këtu sikur je kryetar i partisë, jo Avokat i Popullit”, u shpreh Xhafaj.

Shabani reagoi duke thënë se ishte i pranishëm për të përfaqësuar institucionin dhe jo për të bërë politikë.

“Unë kam ardhur të përfaqësoj institucionin tim, ky koment nuk ju nderon. Nuk jam politikan”, deklaroi ai.

Debati vijoi me replikën e Xhafajt: “Ke qenë”, ndërsa Shabani u përgjigj: “Nuk kemi ardhur këtu të tregojmë çfarë kam bërë unë dhe ju në të shkuarën”.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit