Transmetuar më 15-07-2026, 14:35

Një fluturim i kompanisë Ryanair nga Londra drejt Tiranës, i planifikuar të zgjaste rreth katër orë, u shndërrua në një udhëtim 12-orësh për shkak të motit të keq, dy devijimeve të njëpasnjëshme dhe tensioneve të krijuara në bord.

Sipas Daily Mail, fluturimi RK8288 u nis më 3 qershor me destinacion Tiranën, por për shkak të kushteve atmosferike nuk mundi të ulej në aeroportin "Nënë Tereza". Avioni u devijua fillimisht në Brindisi të Italisë dhe më pas në Selanik të Greqisë, përpara se të mbërrinte në Tiranë në orët e para të mëngjesit.

Gjatë pritjes së gjatë në pistë dhe në ajër, situata në bord u tensionua. Disa pasagjerë, të cilët sipas raportimit kishin konsumuar alkool që në nisje, u konfliktuan me stafin, ndërsa një prej tyre u neutralizua nga një stjuardesë pasi nuk respektoi udhëzimet e ekuipazhit.

Vonesat e gjata, mungesa e ushqimit dhe ujit, si edhe pasiguria për destinacionin, shtuan pakënaqësinë mes udhëtarëve. Në Selanik, një grup pasagjerësh kërkuan të zbrisnin nga avioni dhe kundërshtuan vendimin për të vijuar fluturimin, çka bëri të nevojshme ndërhyrjen e policisë greke për të qetësuar situatën.

Një prej pasagjerëve, i cili foli në mënyrë anonime për median britanike, tha se gjatë gjithë udhëtimit kishte mundur të konsumonte vetëm një pako patatina, ndërsa furnizimet në bord ishin shteruar.

Pas më shumë se 12 orësh, avioni u ul në Aeroportin e Tiranës, ku pasagjerët e pritën mbërritjen me duartrokitje.

Në një reagim për Daily Mail, Ryanair bëri me dije se devijimet u shkaktuan nga kushtet e pafavorshme të motit në Tiranë dhe më pas nga një stuhi mbi Selanik. Kompania shtoi se pas përmirësimit të motit, fluturimi u nis drejt Tiranës dhe pasagjerët u informuan gjatë gjithë kohës përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit