

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka vendosur të prishë vendimin e shkallës së parë për Ardian dhe Sahit Ahmetin, duke urdhëruar rigjykimin e çështjes në Gjykatën e Tiranës me një trupë tjetër gjykuese.
Dy të pandehurit akuzohen për veprat penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë, në dëm të vëllezërve Ylli dhe Fatos Sela, si dhe për “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”.
Sipas Apelit, gjatë shqyrtimit të çështjes janë konstatuar mangësi procedurale dhe hetimore, çka ka bërë të nevojshëm kthimin e dosjes për një gjykim të ri.
Ngjarja për të cilën akuzohen ka ndodhur më 25 korrik 2024 në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit. Sipas hetimeve, Ardian Ahmeti, Sahit Ahmeti dhe persona të tjerë të paidentifikuar hapën zjarr pranë një dyqani, ku në ato momente ndodheshin edhe fëmijë.
Konflikti kishte nisur pas një mosmarrëveshjeje për pronësinë e një sipërfaqeje toke mes familjes Ahmeti dhe vëllezërve Fatos e Ylli Sela, duke degraduar fillimisht në përplasje fizike dhe më pas në përdorimin e armëve të zjarrit.
Nga të shtënat mbetën të plagosur punonjësi i Policisë Rrugore Sahit Ahmeti, Ardian Ahmeti dhe Fatos Sela, të cilët u transportuan në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore.
Në gjykimin e shkallës së parë, Ardian Ahmeti u dënua me 9 vite burg, dënim që për shkak të gjykimit të shkurtuar u ul në 6 vite. Ndërsa Sahit Ahmeti u dënua me 5 vite burg, të reduktuara në 3 vite e 4 muaj.
Me vendimin e Apelit, këto dënime janë shfuqizuar dhe çështja do të shqyrtohet sërish në Gjykatën e Tiranës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






