Transmetuar më 15-07-2026, 12:23

Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka deklaruar se çdo kallëzim penal do të trajtohet në bazë të provave, duke theksuar se askush nuk gëzon imunitet përballë ligjit.

Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Braho iu përgjigj pyetjes së deputetit demokrat Gjin Gjoni, i cili kërkoi të dijë nëse SPAK do të marrë në pyetje kryeministrin Edi Rama në kuadër të kallëzimit të bërë nga opozita për çështjen e njohur si “Albanian Files”.

Braho u shpreh se nuk mund të komentojë një procedim konkret, por ftoi çdo person që disponon prova t’ia dorëzojë ato Prokurorisë së Posaçme.

“Është një kallëzim konkret dhe nuk kam asnjë koment për të. Kush ka prova, le t’i dorëzojë në SPAK. Asnjë person nuk është imun dhe këtë e them me bindje”, deklaroi kreu i SPAK.

Nga ana e tij, deputeti Gjin Gjoni argumentoi se, sipas opozitës, hetimet duhet të shtrihen deri te nivelet më të larta të qeverisë, duke përmendur edhe çështje të tjera si inceneratorët.

“Fijet të çojnë te personi që sot është drejtues i qeverisë. A mund të shkojë hetimi deri në atë nivel, qoftë për inceneratorët apo për ‘Albanian Files’? Në këtë rast flitet për shuma të mëdha parash dhe vendime që, sipas nesh, nuk mund të merren pa miratimin e kryeministrit”, u shpreh Gjoni.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit