

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Klodian Braho, ka deklaruar se SPAK do të bëjë transparente të dhënat për dosjen e njohur si “Aruba”, pasi të përfundojë procesi hetimor.
Deklarata u bë gjatë raportimit të tij në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku Braho iu përgjigj pyetjeve të deputetit demokrat Ivi Kaso lidhur me pretendimet për takime mes zyrtarëve të lartë shqiptarë dhe personave të dyshuar si pjesë e botës së krimit.
Kaso kërkoi që SPAK të bëjë publike identitetet e personave që dyshohet se kanë marrë pjesë në këto takime, duke ngritur shqetësimin nëse institucioni ka një detyrim për informimin e opinionit publik.
“Te dosja Aruba ka pretendime për takime mes personave të krimit të organizuar dhe zyrtarëve të lartë shqiptarë. A mendoni se keni një detyrim për t’u treguar shqiptarëve se cilët kanë qenë këta politikanë, pavarësisht nëse i përkasin opozitës apo mazhorancës?”, pyeti Kaso.
Braho theksoi se çështja është aktive dhe se çdo informacion do të bëhet publik vetëm pasi hetimet të kenë përfunduar dhe të jenë krijuar kushtet ligjore për transparencë.
Sipas tij, SPAK nuk mund të anashkalojë prova apo elementë që ndodhen në një dosje hetimore dhe se çdo pretendim duhet të mbështetet në fakte.
“Nuk mund të ndodhë që SPAK të ketë një provë në një dosje dhe ajo të lihet pa u hetuar. Çdo gjë tjetër janë hamendësime dhe opinione. Kur hetimet të përfundojnë, institucioni mund të bëjë transparencë”, u shpreh Braho.
Kreu i SPAK nënvizoi gjithashtu se institucioni nuk do të ndikohet nga debatet politike dhe se hetimet do të vijojnë mbi bazën e provave dhe jo të deklaratave publike.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






