

Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka deklaruar se Struktura e Posaçme ka nisur 46 procedime penale për zgjedhjet e fundit, lidhur me dyshime për parregullsi dhe krime zgjedhore.
Duke raportuar në Komisionin për Nismat Qytetare në Kuvend, Braho tha se SPAK ka ngritur një grup pune të posaçëm për hetimin e çështjeve që lidhen me procesin zgjedhor.
“Në zgjedhjet e fundit, SPAK ka nisur 46 procedime penale. Struktura e Posaçme ka ngritur një grup pune të posaçëm për të hetuar krimet zgjedhore. Ne përpiqemi që të zbatojmë të gjitha rekomandimet që na vijnë nga ndërkombëtarët. Cilësia në hetime vetëm është rritur, duke qenë profesionalë në ndjekjen e çështjeve penale që kanë të bëjnë me krimet zgjedhore”, tha Braho.
Kreu i SPAK bëri të ditur gjithashtu se Byroja Kombëtare e Hetimit po ristrukturohet për t’u përballur edhe me forma të reja kriminaliteti, përfshirë krimet që lidhen me kriptovalutat dhe raste të tjera që nuk kanë qenë të zakonshme më parë në Shqipëri.
“BKH po merr gjithmonë e më shumë rëndësi si strukturë. Po mbushim edhe vendet që i kemi pasur vakante. Edhe koordinimi me partnerët ndërkombëtarë është i rëndësishëm për ne. Vazhdojmë të ndjekim çështje të shtetasve shqiptarë që mund të shtrijnë kriminalitetin edhe jashtë Shqipërisë”, deklaroi ai.
Gjatë raportimit, deputeti demokrat Ivi Kaso ngriti pyetje lidhur me hetimet për krimin zgjedhor, si dhe pretendimet për ndikim politik apo standard të dyfishtë nga SPAK.
Braho hodhi poshtë këto akuza, duke theksuar se hetimet bazohen vetëm në prova.
“Pa prova ne nuk mund të ngremë akuza. Nuk ka standard të dyfishtë nga SPAK, ky është një perceptim. Ne nisemi nga provat dhe kushdo që të jetë përfshirë në krime, do të mbajë përgjegjësi për atë që ka bërë. Nëse në një dosje ka prova dhe ato nuk shikohen, kjo nuk ndodh. Nuk merremi me deklarata politike të asnjë pale apo personi. Për SPAK, të gjithë janë të barabartë para ligjit”, u shpreh Braho.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






