

BRUKSEL – Ambasadorët e të 27 vendeve anëtare ranë dakord këto ditë që të avancojnë në procesin e anëtarësimit në BE të disa vendeve aspirantë përfshirë Shqipërinë. Por, ndërsa për Ukrainën dhe Moldavinë ecën para duke hapur klasterin 6 mbi marrëdhëniet e jashtme dhe për Malin e Zi mbyllën përfundimisht 2 kapituj, për Shqipërinë është vendosur vetëm mbyllje e përkohshme e 3 kapitujve të parë.
Këtë e ka pohuar presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, i cili ka deklaruar në Bruksel se "ambasadorët e të 27 vendeve anëtare ranë dakord të mbyllin përkohësisht kapitujt negociues 25 (shkencë dhe kërkim), 26 (arsim dhe kulturë) dhe 30 (marrëdhënie të jashtme) për Shqipërinë.
Por çdo të thotë mbyllje e përkohshme e kapitujve?
Këtë e ka shpjeguar më qartë, Marta Kos, e cila ka informuar se mbyllja e këtyre kapitujve nuk nënkupton përfundimin e procesit në këto fusha, por vlerësimin e Bashkimit Evropian se Shqipëria ka përmbushur standardet e kërkuara, në këtë fazë të negociatave.
Kapitujt mbeten nën monitorim deri në anëtarësimin e plotë të vendit në Bashkimin Evropian dhe, në rast regresi domethënës, ato mund të rihapen sërish.
Ndërsa kryeministri Edi Rama "e shiti" procesin aktual si mbyllje të tre kapitujve të parë, ministri i Jashtëm, Fierit Hoxha u tregua i kujdesshëm duke qartësuar se bëhet fjalë për mbyllje provizore të tyre.
Në këtë fazë, Brukseli ka caktuar dhe detyrat që duhet të përmbushen. Për faktin se kapitujt konsiderohen të mbyllur përkohësisht, Shqipëria do të vijojë të monitorohet nga Bashkimi Evropian për mënyrën se si zbaton angazhimet e marra.
Kështu, sipas dokumentit që u nxorr pas zhvillimit dje të Konferencës së 11-të Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, kërkohet rritje e financimit për shkencën dhe kërkimin. BE kërkon që financimi për kërkimin shkencor të rritet gradualisht dhe të arrijë në nivelin 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2030.
Dokumenti thekson se nuk mjafton vetëm parashikimi i fondeve në buxhet, por është e domosdoshme që ato të përdoren realisht dhe në mënyrë efikase.
Një tjetër kërkesë është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet universiteteve, institucioneve kërkimore dhe sektorit privat. Sipas Bashkimit Evropian, Shqipëria duhet të zbatojë më mirë strategjitë e inovacionit, të përmirësojë menaxhimin e fondeve dhe të forcojë mekanizmat kundër korrupsionit në këtë fushë.
Më shumë investime dhe cilësi në arsim
Për kapitullin e arsimit dhe kulturës, Komisioni Evropian vëren se shpenzimet publike për arsimin në Shqipëri vijojnë të mbeten nën mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian.
Për këtë arsye, autoriteteve shqiptare u kërkohet të rrisin financimin dhe të përmirësojnë cilësinë e mësimdhënies në të gjitha nivelet.
Dokumenti nënvizon nevojën për forcimin e njohurive bazë të nxënësve, zgjerimin e arsimit gjithëpërfshirës dhe krijimin e më shumë mundësive për fëmijët që u përkasin komuniteteve pakicë.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet garantimit të teksteve shkollore dhe materialeve mësimore në gjuhët e minoriteteve.
Në arsimin e lartë, Shqipërisë i kërkohet të vazhdojë përafrimin me Procesin e Bolonjës dhe të afrojë universitetet me standardet akademike dhe profesionale të Bashkimit Evropian.
Sa i përket arsimit profesional, Brukseli kërkon lidhje më të forta ndërmjet shkollave dhe tregut të punës, më shumë praktika profesionale dhe zgjerimin e programeve të trajnimit për të rriturit.
Lufta kundër korrupsionit mbetet një nga çështjet kryesore. Bashkimi Evropian kërkon që përzgjedhja e drejtuesve të shkollave dhe institucioneve arsimore të bëhet mbi bazën e meritës dhe jo të ndikimit politik.
Marrëveshjet ndërkombëtare duhet të përshtaten me rregullat evropiane
Në kapitullin për marrëdhëniet me jashtë, Shqipërisë i kërkohet që deri në anëtarësim të harmonizojë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Kjo përfshin marrëveshjet tregtare, investimet, bashkëpunimin ekonomik dhe marrëdhëniet me vendet që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian.
Brukseli vlerëson faktin që Shqipëria ka hartuar një plan veprimi dhe ka përgatitur një inventar të marrëveshjeve ekzistuese. Megjithatë, kërkohet koordinim i vazhdueshëm me Komisionin Evropian gjatë gjithë periudhës së para-anëtarësimit.
Dokumentet trajtojnë gjithashtu kontrollin e investimeve të huaja në sektorë strategjikë, mbikëqyrjen e eksportit të mallrave me përdorim të dyfishtë civil dhe ushtarak, forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe rritjen e kapaciteteve të administratës publike.
Monitorimi do të vazhdojë deri në fund të negociatave
Mbyllja e përkohshme e tre kapitujve nuk do të thotë se procesi i vlerësimit ka përfunduar.
Bashkimi Evropian thekson se Shqipëria do të vazhdojë të monitorohet deri në përmbylljen e plotë të negociatave dhe deri në anëtarësim.
Nëse vendi nuk zbaton reformat e kërkuara, ose nëse legjislacioni evropian ndryshon ndërkohë, kapitujt mund të rihapen dhe çështjet përkatëse mund të rikthehen në tryezën e bisedimeve.
Për këtë arsye, faza finale e negociatave pritet të shoqërohet me një kontroll më të rreptë të zbatimit konkret të reformave dhe të angazhimeve të marra nga institucionet shqiptare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






