Transmetuar më 15-07-2026, 08:59

Zbatimi i ligjit për amnistinë penale nis këtë të mërkurë në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në vend. Nga kjo masë pritet të përfitojnë gjithsej 1,335 të dënuar, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligj.

Amnistia përfshin personat e dënuar me vendim të formës së prerë deri më 31 maj 2026, ndërsa procedurat për lirimin e përfituesve do të zbatohen nga institucionet përgjegjëse gjatë ditës.

Sipas ligjit, përfitojnë lirimin burrat e dënuar deri në tre vite burg dhe gratë e dënuara deri në katër vite burg. Në të njëjtën kategori përfshihen edhe të dënuarit që kanë për të vuajtur deri në tre vite burg për burrat dhe deri në katër vite për gratë.

Nga amnistia përfitojnë gjithashtu të miturit, si dhe personat që kanë arritur moshën 60 vjeç për burrat dhe 50 vjeç për gratë, me kusht që të plotësojnë kriteret e parashikuara në ligj.

Jashtë përfitimit mbeten personat e dënuar për vepra të rënda penale, si vrasja, përdhunimi, trafikimi i qenieve njerëzore dhe krime të tjera të rënda. Po ashtu, nuk përfitojnë nga amnistia personat e dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), si dhe subjektet që hetohen ose gjykohen nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Autoritetet kanë bërë të ditur se procesi i zbatimit të amnistisë do të zhvillohet në përputhje me procedurat ligjore, ndërsa verifikimi i përfituesve do të kryhet nga administrata e institucioneve të vuajtjes së dënimit dhe organet kompetente.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit