Transmetuar më 15-07-2026, 07:30

Shqipëria vijon të përballet me një nga krizat më të thella demografike në Europë. Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, nga viti 1990 deri në vitin 2025, vendi ka regjistruar një bilanc negativ migracioni prej rreth 1.8 milionë personash, që do të thotë se gjatë kësaj periudhe janë larguar 1.8 milionë më shumë banorë sesa janë rikthyer në Shqipëri.

Statistikat tregojnë se gjatë gjithë periudhës 35-vjeçare Shqipëria ka mbetur një vend me emigrim neto, duke humbur vazhdimisht popullsi. Ky fenomen e rendit vendin ndër shtetet me përkeqësimin më të madh të treguesve demografikë në nivel europian.

Vala më e madhe e emigracionit u regjistrua në dekadën e parë të tranzicionit. Vetëm gjatë viteve 1990–2001, bilanci negativ arriti në rreth 785.7 mijë persona, me një mesatare prej afro 65 mijë banorësh të humbur çdo vit. Periudha pas rënies së regjimit komunist u shoqërua me largime masive, të nxitura nga izolimi shumëvjeçar, vështirësitë ekonomike dhe krizat politike.

Vitet me largimet më të larta rezultojnë të kenë qenë 1991, me 123,619 persona më shumë të larguar sesa të kthyer, 1995 me 118,022 persona, 1997 me 107,503 persona dhe 1999 me 105,229 persona, të ndikuara edhe nga trazirat e skemave piramidale dhe pasiguritë ekonomike.

Gjatë periudhës 2002–2013, ritmet e emigracionit u ngadalësuan, por mbetën të larta. Në këto vite Shqipëria humbi rreth 391 mijë banorë nga migracioni neto, ose mesatarisht 33 mijë persona në vit. Stabiliteti politik dhe rritja ekonomike ndikuan në frenimin e pjesshëm të fenomenit.

Megjithatë, sipas Eurostat, pas vitit 2014 emigracioni u përshpejtua sërish, ndryshe nga tendenca e vendeve të tjera të Europës Lindore, ku fenomeni nisi të zbehej. Në periudhën 2014–2025, bilanci negativ arriti në rreth 617 mijë persona, me një mesatare prej afro 51 mijë banorësh në vit.

Pas pandemisë, emigracioni neto mbeti në nivele të larta. Bilanci negativ rezultoi 32,853 persona në vitin 2021, 32,497 persona në vitin 2022, ndërsa për 2024 dhe 2025 vlerësohet përkatësisht në 28,836 dhe 28,531 persona. Ndërkohë, viti 2023 paraqet një diferencë më të lartë statistikore, e lidhur me korrigjimet e bëra pas rezultateve të Censit të Popullsisë.

Sipas të dhënave të Eurostat, emigracioni mbetet një nga faktorët kryesorë të tkurrjes së popullsisë shqiptare. Humbja e vazhdueshme e banorëve po ndikon drejtpërdrejt në plakjen e popullsisë, uljen e numrit të forcës së punës dhe ngushtimin e bazës së kontribuuesve në skemat e sigurimeve shoqërore, duke e kthyer krizën demografike në një nga sfidat më të mëdha afatgjata për vendin.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit