Transmetuar më 15-07-2026, 07:26

Qeveria shqiptare po përgatitet të ndërmarrë një rishikim të plotë të rregullave që përcaktojnë ushtrimin e profesioneve të rregulluara në vend, në kuadër të detyrimeve që burojnë nga procesi i negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Përmes një projektvendimi të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, është hedhur për konsultim Plani Kombëtar i Veprimit për Transparencën dhe Proporcionalitetin e Kritereve për Ushtrimin e Profesioneve të Rregulluara, dokument që do të shërbejë si bazë për inventarizimin, analizimin dhe rishikimin e 323 profesioneve të rregulluara në Shqipëri.

Nisma është pjesë e angazhimeve të vendit në kuadër të Grupkapitullit 2 "Tregu i Brendshëm" dhe synon harmonizimin e legjislacionit shqiptar me Direktivën 2005/36/KE të Bashkimit Europian për njohjen e kualifikimeve profesionale.

Sipas relacionit shoqërues, Shqipëria duhet të përmbushë një nga kriteret kyçe të procesit të negociatave, duke miratuar dhe dorëzuar në Komisionin Europian listën zyrtare të profesioneve të rregulluara, së bashku me aktivitetet që mbulon secili profesion dhe argumentimin ligjor për rregullimin e tyre.

Plani i veprimit parashikon pesë etapa kryesore të procesit. Fillimisht do të identifikohen të gjitha profesionet që rregullohen me ligj ose përmes praktikave administrative. Më pas do të përcaktohen aktivitetet dhe titujt profesionalë të mbrojtur për secilin prej tyre, duke vijuar me analizën nëse kufizimet aktuale për ushtrimin e profesioneve janë të nevojshme dhe proporcionale.

Në fazën pasuese do të miratohet lista kombëtare, e cila do t’i dërgohet Komisionit Europian, ndërsa më pas ajo do të publikohet dhe do të përditësohet periodikisht.

Dokumenti synon krijimin e një sistemi të unifikuar për identifikimin, analizimin dhe monitorimin e profesioneve të rregulluara, me qëllim rritjen e transparencës dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet europiane.

Në të njëjtën kohë, qeveria synon të konsolidojë listën kombëtare të 323 profesioneve të rregulluara, të administruara nga 11 autoritete rregullatore qendrore, e cila do të shërbejë si bazë për raportimin zyrtar pranë institucioneve të Bashkimit Europian.

Një tjetër element i rëndësishëm i planit është ngritja e një baze elektronike kombëtare për profesionet e rregulluara. Platforma do të funksionojë si një pikë e vetme informacioni për qytetarët, profesionistët dhe institucionet, ndërsa në një fazë të dytë pritet të integrohet edhe me databazat rajonale dhe ato të Bashkimit Europian.

Rishikimi do të përfshijë një gamë të gjerë profesionesh në sektorë si drejtësia, shëndetësia, inxhinieria, arsimi, transporti, financat, turizmi dhe sigurimet, duke krijuar për herë të parë një inventar të plotë kombëtar të profesioneve të licencuara dhe kritereve që justifikojnë rregullimin e tyre.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit