

Trajneri i Francës, Didier Deschamps, ka shprehur zhgënjimin e tij pas humbjes 2-0 ndaj Spanjës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, duke pranuar se kundërshtarët ishin më të mirë, por duke ngritur edhe pikëpyetje për nivelin e arbitrimit.
Në prononcimin e tij për televizionin francez **M6**, tekniku i "Gjelave" tha se lojtarët janë të dëshpëruar pasi synimi i ekipit ishte kualifikimi në finale.
"Ka shumë zhgënjim. Lojtarët janë të shkatërruar sepse kishim ambicie të mëdha. Duhet të jemi realistë dhe të pranojmë se sot ishim një hap më poshtë teknikisht përballë një skuadre që dinte shumë mirë çfarë po bënte. Kryesisht është faji ynë," deklaroi Deschamps.
Megjithatë, trajneri francez nuk e fshehu pakënaqësinë edhe ndaj arbitrimit të sfidës, duke lënë të kuptohet se disa vendime nuk ishin në favor të skuadrës së tij.
"A ishte gjyqtari në nivelin e duhur për të gjykuar një gjysmëfinale të Kupës së Botës? Nuk po e them këtë sepse humbëm, por pati disa situata… shpesh të pafavorshme për ne," u shpreh ai.
Sipas Deschamps, arsyeja kryesore e eliminimit mbetet paraqitja e Francës, e cila nuk arriti të ishte efikase në fazën sulmuese.
"Ishim më pak të rrezikshëm në sulm sesa mund të kishim qenë. Bëmë gabime teknike dhe humbëm pasime që mund të na kishin krijuar raste të mira shënimi. Duhet ta pranojmë këtë, edhe pse dhemb. Ky është niveli më i lartë i futbollit," theksoi ai.
Trajneri francez foli edhe për ndeshjen e ardhshme për vendin e tretë, duke siguruar se skuadra do të jetë plotësisht e përqendruar për ta mbyllur turneun në mënyrën më të mirë të mundshme.
"Do ta përgatisim ndeshjen për vendin e tretë me të njëjtin seriozitet. Nuk ia dolëm të arrinim finalen, por kjo nuk zbeh gjithçka të mirë që kemi bërë gjatë këtij Botërori," deklaroi Deschamps.
Në fund, ai përmendi edhe dëmtimin e William Saliba, i cili u detyrua të largohej nga fusha gjatë ndeshjes, por theksoi se kjo nuk ndryshon faktin se Spanja ishte skuadra më e mirë.
"Saliba nuk mundi të vazhdonte ndeshjen dhe kjo ishte një tjetër vështirësi për ne. Megjithatë, kjo nuk heq asgjë nga cilësia e Spanjës, e cila e kontrolloi ndeshjen dhe meritoi kualifikimin në finale," përfundoi trajneri i Francës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






