Transmetuar më 14-07-2026, 23:30

Forcat amerikane kanë konfirmuar kryerjen e sulmeve të reja ndaj objektivave në Iran, në një zhvillim që vjen pak para përgatitjeve për rivendosjen e një bllokade detare ndaj porteve dhe zonave bregdetare iraniane.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) bëri të ditur se qëllimi i operacioneve ishte dobësimi i kapaciteteve ushtarake iraniane që, sipas palës amerikane, janë përdorur për të sulmuar anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

"Sulmet po ndodhin ndërsa forcat amerikane përgatiten të rivendosin një bllokadë detare të porteve dhe zonave bregdetare iraniane", thuhet në deklaratën e CENTCOM-it.

Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, një zyrtar amerikan ka konfirmuar se ushtria amerikane ka kryer sulme ajrore në territorin iranian dhe se operacionet kanë vijuar për disa orë.

Ndërkohë, presidenti iranian Masud Pezeshkian ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili më herët pretendoi se SHBA kishte neutralizuar pjesën më të madhe të kapaciteteve ushtarake të Iranit.

Pezeshkian kundërshtoi pretendimet amerikane, duke deklaruar se Irani do të vazhdojë të mbrojë territorin e tij.

"Retorika e tyre vazhdon, por pyetja është: a i kanë arritur qëllimet e tyre në fushën e betejës? Ata që vendosën të përpiqen të shkatërrojnë vendin tonë, çfarë kanë arritur në fund me veprimet e tyre? Ne do të mbrojmë çdo centimetër të atdheut tonë me veprimet tona," u shpreh presidenti iranian.

Zhvillimet e fundit kanë rritur tensionet në rajonin e Gjirit Persik, veçanërisht rreth Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme detare për transportin global të energjisë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit