

Gazetari Enver Robelli ka komentuar deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila deklaroi se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviç në vitin 1998, do ta kishte "spastruar etnikisht Kosovën".
I ftuar në emisionin "Off the Record" në A2, Robelli tha se Shqipëria duhet të kishte reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të ministres serbe, duke argumentuar se heshtja e Tiranës nuk është në përputhje me qëndrimet që mbajnë institucionet europiane.
Sipas tij, një reagim nga autoritetet shqiptare do të ishte i natyrshëm, në një kohë kur deklaratat e Paunoviç janë dënuar edhe nga zyrtarë të Bashkimit Europian.
"Mendoj që Shqipëria duhet të reagojë në raste të tilla dhe, në fund të fundit, nuk do të bënte një aksion spektakolar, por atë që po bën edhe Bashkimi Europian. Shumë zyrtarë europianë kanë dënuar ashpër deklaratën e ministres serbe dhe do të ishte logjike që këtë ta bënte edhe Shqipëria. Heshtja nuk është shenjë e mirë për dinjitetin shtetëror të Shqipërisë, sepse kur shtete të tjera reagojnë dhe Shqipëria hesht, kjo është problematike," u shpreh Robelli.
Ai shtoi se e konsideron problematik edhe faktin që, sipas tij, kryeministri shqiptar nuk është prononcuar në përvjetorët e gjenocidit të Srebrenicës.
Gjatë intervistës, Robelli zbuloi gjithashtu se ministrja serbe ka origjinë dhe është rritur në Pejë, duke theksuar se ajo ka qenë dëshmitare e represionit të regjimit serb ndaj shqiptarëve gjatë viteve ’90.
"Kjo zonja Paunoviç është me origjinë nga Peja, është rritur në Kosovë, i ka përjetuar vitet ’90 dhe ka qenë dëshmitare e represionit të regjimit serb ndaj shqiptarëve. Të ëndërrosh dëbimin e gati dy milionë shqiptarëve një çerek shekulli pas përfundimit të luftës nuk është vetëm deformim i diskursit, por edhe një deformim i rrezikshëm mendor, që meriton jo vetëm vëmendje politike, por edhe mjekësore," deklaroi ai.
Deklaratat e ministres Snezhana Paunoviç kanë shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe në arenën ndërkombëtare. Autoritetet e Kosovës e kanë shpallur atë persona non grata, ndërsa Bashkimi Europian ka dënuar publikisht retorikën e saj.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






