

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, deklaroi se shfuqizimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe i ligjit për investimet strategjike është pjesë e angazhimeve të dakordësuara mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian në kuadër të procesit të anëtarësimit.
Gjatë Konferencës së IX Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian në Bruksel, Kos theksoi se këto angazhime ishin marrë përpara nisjes së protestave që kanë shoqëruar debatin mbi projektin në Zvërnec dhe ndryshimet ligjore të miratuara gjatë vitit 2024.
Sipas saj, mbyllja e tre kapitujve të negociatave dëshmon se rrugëtimi europian i Shqipërisë nuk është vënë në rrezik, por theksoi se vendi duhet të vijojë harmonizimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian.
"Ne nuk e shohim rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian si në rrezik dhe prova është kjo e sotmja, ku kemi mbyllur tre kapituj. Lidhur me këtë çështje specifike, mbrojtja e mjedisit është pjesë e kritereve të anëtarësimit në BE dhe aktualisht ka një sërë ligjesh që duhen ndryshuar për të përmbushur këtë kriter," deklaroi Kos.
Komisionerja bëri të ditur se Bashkimi Europian dhe autoritetet shqiptare kishin rënë dakord që gjatë këtij viti të shfuqizohen ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura, si edhe ligji për investimet strategjike.
"Para se të nisnin protestat, kishim rënë dakord me Shqipërinë që përgjatë këtij viti të shfuqizoheshin ndryshimet në ligjin e vitit 2024 për zonat e mbrojtura dhe ligji për investimet strategjike. Këto ndryshime duhet të bëhen për të përmbyllur procesin e integrimit në BE dhe lidhen me Kapitullin 27, që ka të bëjë me mjedisin. Do t’i inkurajoja autoritetet shqiptare që t’i ndërmarrin sa më shpejt të jetë e mundur," u shpreh ajo.
Kos u ndal edhe te protestat që kanë shoqëruar këtë çështje, duke nënvizuar se ato janë një element i rëndësishëm i demokracisë dhe se mënyra se si trajtohen nga institucionet është pjesë e standardeve demokratike që kërkon Bashkimi Europian.
"E dimë që protestat janë shumë të rëndësishme. Protestat janë pjesë e demokracisë dhe mënyra se si vendet i trajtojnë ato është pjesë e proceseve pluraliste dhe demokratike. Inkurajoj qeverinë shqiptare që të marrë parasysh kërkesat e qytetarëve," deklaroi Komisionerja për Zgjerimin.
Deklaratat e Marta Kos u bënë në të njëjtën konferencë ku Shqipëria mbylli tre kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, ndërsa Kapitulli 27, që lidhet me mjedisin, mbetet një nga kapitujt më kompleksë të procesit të integrimit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






