Transmetuar më 14-07-2026, 21:41

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Brukseli se qeveria shqiptare do të shfuqizojë ligjin për investimet strategjike, duke argumentuar se ai e ka përmbushur tashmë misionin për të cilin ishte miratuar.

Deklarata u bë gjatë konferencës për mediat pas Konferencës së IX Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian, ku Shqipëria mbylli tre kapituj të negociatave për anëtarësim në BE.

Rama u shpreh se vendimi për shfuqizimin e ligjit është diskutuar prej kohësh me institucionet europiane dhe se qeveria po punon për një kuadër të ri ligjor që do ta zëvendësojë atë.

"Na duhet të shfuqizojmë ligjin për investimet strategjike, që është diçka për të cilën kemi disa kohë që kemi rënë dakord. Ky ligj e ka përmbushur misionin e vet dhe po punojmë për atë që do ta zëvendësojë këtë ligj," deklaroi kryeministri.

Sa i përket ligjit për zonat e mbrojtura, Rama theksoi se nuk ka nevojë për shfuqizimin e tij, duke e cilësuar atë si një nga ligjet më të mira të miratuara në vend. Megjithatë, ai pranoi se disa dispozita do të duhet të harmonizohen me standardet e Bashkimit Europian.

"Për ligjin tjetër nuk kemi asgjë për të shfuqizuar, edhe pse ka pasur rezolutë në Komisionin Europian. Duhet të ndryshojmë gjithçka që nuk është në pajtim me standardet europiane. Ligji për zonat e mbrojtura është nga më të mirët që kemi dhe kemi punuar shumë fort për ta hartuar. Është i pari në vend dhe na duhet të trajtojmë vetëm pjesë specifike, të cilat duhet të jenë në pajtim të plotë me standardet e BE-së," u shpreh Rama.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një kohë kur ligji për investimet strategjike dhe ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura kanë qenë në qendër të debatit publik dhe protestave të zhvilluara javët e fundit, ndërsa qeveria vijon procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Europian.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit