Transmetuar më 14-07-2026, 21:38

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur nga Brukseli projektin e planifikuar në Zvërnec, duke deklaruar se ai do të realizohet në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Europian dhe se nuk ka asnjë arsye për shqetësim.

Deklarata u bë gjatë konferencës për mediat pas Konferencës së IX Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku u zyrtarizua mbyllja e tre kapitujve të negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

I pyetur nga gazetarët për projektin në Zvërnec, i cili ka shkaktuar protesta dhe debate të shumta në javët e fundit, Rama tha se gjithçka po zhvillohet sipas procedurave dhe se vendimmarrja do të bazohet vetëm në standardet europiane.

Kryeministri theksoi se Komisioni Europian mbetet institucioni të cilit qeveria shqiptare i referohet për çdo çështje që lidhet me procesin e integrimit.

"Mësova nga vitet e gjata në detyrë se kur thua Bruksel është një fjalë shumë komplekse. Për ne, të gjithë zërat në Bruksel janë të respektueshëm, por ka një zë që e marrim shumë seriozisht dhe ai është zëri i Komisionit Europian, i cili punon mbi fakte dhe të dhëna të verifikuara," u shpreh Rama.

Ai shtoi se projekti në Zvërnec nuk është ende i miratuar dhe se procesi i vlerësimit të ndikimit në mjedis vijon sipas të gjitha procedurave të kërkuara.

"Jam i sigurt se nëse do t’u referoheshit fakteve dhe burimeve të verifikuara, do të kuptonit se projekti nuk mund të shihet askund, sepse ende nuk është miratuar. Gjithçka po bëhet sipas rregullave që nga dita e parë dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Europian," deklaroi kreu i qeverisë.

Rama hodhi poshtë pretendimet se Shqipëria mund të ecë përpara me një projekt që nuk respekton legjislacionin europian, duke theksuar se qeveria nuk do të ndërmarrë asnjë hap jashtë kuadrit të kërkuar nga Bashkimi Europian.

"Nuk do të bëjmë asgjë që nuk është në përputhje me standardet europiane. Do të realizojmë një projekt që do ta bëjë krenare Shqipërinë dhe Europën dhe gjatë gjithë procesit do të jemi maksimalisht rigorozë, duke kërkuar standardet më të larta," përfundoi Rama.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit