Transmetuar më 14-07-2026, 21:30

Shqipëria ka shënuar një tjetër hap në procesin e integrimit europian, duke mbyllur tre kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Vendimi u mor këtë të martë në Bruksel, gjatë Konferencës së IX Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, ku morën pjesë kryeministri Edi Rama, Komisionerja Europiane për Zgjerimin Marta Kos dhe përfaqësues të institucioneve europiane.

Tre kapitujt e mbyllur janë Kapitulli 25 – Shkenca dhe Kërkimi, Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura dhe Kapitulli 30 – Marrëdhëniet me Jashtë. Pas këtij zhvillimi, Shqipërisë i mbeten edhe 30 kapituj për t’u negociuar dhe mbyllur në kuadër të procesit të anëtarësimit.

Në konferencën e përbashkët për mediat, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë moment si një tjetër gur kilometrik në rrugëtimin e pakthyeshëm të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Sipas tij, mbyllja e tre kapitujve nuk përfaqëson vetëm një procedurë teknike, por një vlerësim të qartë se reformat e ndërmarra nga Shqipëria po japin rezultate.

"Ky nuk është thjesht një hap në këtë proces të gjatë, por një vlerësim i qartë që Shqipëria po ecën përpara, që reformat po japin rezultate dhe që vendi ynë është gjithnjë e më i përgatitur për të marrë përsipër përgjegjësitë e anëtarësimit", deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh optimist se Shqipëria do të vijojë ritmin e deritanishëm të negociatave, duke theksuar se vendi po ecën sipas kalendarit të dakordësuar me Komisionin Europian. Ai tha se mbetet ende shumë punë për t’u bërë, por shtoi se nuk sheh arsye për të besuar se procesi do të ngadalësohet.

Në qendër të interesit ishte edhe projekti në Zvërnec, i cili ka shkaktuar protesta masive në vend gjatë 45 ditëve të fundit. Rama hodhi poshtë shqetësimet e ngritura nga protestuesit dhe organizatat mjedisore, duke deklaruar se projekti po ndiqet sipas të gjitha procedurave dhe standardeve europiane.

Sipas tij, vlerësimi i ndikimit në mjedis është ende në proces dhe nuk do të merret asnjë vendim që bie ndesh me legjislacionin e Bashkimit Europian.

"Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Gjithçka po bëhet sipas rregullave që nga dita e parë. Do të realizojmë një projekt që do ta bëjë krenare Shqipërinë dhe Europën", u shpreh Rama.

Protestat kundër projektit në Zvërnec dhe kundër ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura e shoqëruan politikisht edhe vizitën e kryeministrit në Bruksel. Duke iu referuar një prej kërkesave kryesore të protestuesve, Rama deklaroi se ligji për investimet strategjike do të shfuqizohet, pasi sipas tij e ka përmbushur misionin për të cilin ishte miratuar.

Ai bëri të ditur se qeveria po punon për një kuadër të ri ligjor që do ta zëvendësojë atë, ndërsa theksoi se edhe ligji për zonat e mbrojtura do të rishikohet në pjesët që nuk janë plotësisht në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

"Na duhet të shfuqizojmë ligjin për investimet strategjike. Ky ligj e ka përmbushur misionin e tij. Ndërsa për ligjin për zonat e mbrojtura do të ndryshojmë çdo element që nuk është në pajtim me standardet europiane", deklaroi Rama.

Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi mbylljen e tre kapitujve si një moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe për vetë procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.

Ajo theksoi se Shqipëria ka përmbushur kushtet e nevojshme për këtë fazë të negociatave, por nënvizoi se reformat duhet të vazhdojnë, veçanërisht në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

"Sot mbyllëm tre kapitujt e parë me Shqipërinë. Ky është një moment i madh për vendin, por është vetëm një hap i ndërmjetëm. Reformat duhet të vijojnë të thellohen", tha Kos.

Komisionerja europiane u ndal edhe te debati për projektin në Zvërnec dhe ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura. Ajo bëri të ditur se Bashkimi Europian kishte rënë dakord me autoritetet shqiptare, edhe përpara nisjes së protestave, për shfuqizimin e amendamenteve të vitit 2024 që lidhen me zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike, në kuadër të përgatitjeve për Kapitullin 27, i cili lidhet me mjedisin.

"Mbrojtja mjedisore është pjesë e kritereve të Bashkimit Europian. Protestat janë pjesë e demokracisë dhe mënyra sesi autoritetet i trajtojnë ato është e rëndësishme. Inkurajojmë autoritetet shqiptare të adresojnë shqetësimet e qytetarëve dhe të vijojnë harmonizimin e legjislacionit me standardet europiane", deklaroi Kos.

Ajo shtoi se progresi i Shqipërisë po shërben edhe si një motivim për vendet e tjera kandidate për anëtarësim, duke theksuar se Komisioni Europian mbështet objektivin e qeverisë shqiptare për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027, nëse ritmi i reformave do të vijojë.

Sipas Kos, Shqipëria gëzon një mbështetje të lartë publike për integrimin europian, ndërsa procesi duhet të mbështetet mbi rezultate konkrete dhe reforma të qëndrueshme.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit