

Vlorë, 14 korrik 2026 – Dy drejtues mjetesh lundruese janë ndëshkuar me masa administrative nga autoritetet në Vlorë, pasi u konstatuan duke lundruar në afërsi të brigjeve të detit, duke rrezikuar sigurinë e pushuesve dhe pa dokumentacionin e nevojshëm në bord.
Sipas Policisë, rastet janë evidentuar në zonat Potam dhe "Plazhi i Hidrovorit", ku dy gomone janë bllokuar, ndërsa drejtuesit e tyre janë gjobitur për shkeljet e konstatuara.
Drejtuesi i mjetit lundrues të ndaluar në zonën e Potamit, shtetasi me iniciale H. L., është gjobitur me 500 mijë lekë. Policia bën të ditur se mjeti u lokalizua më pas në plazhin e Drimadhes dhe u sekuestrua.
Ndërkohë, gjatë kontrolleve përgjatë vijës bregdetare të qarkut Vlorë, një tjetër gomone u konstatua duke lundruar pranë bregut në zonën e quajtur "Plazhi i Hidrovorit". Drejtuesi i saj, shtetasi me iniciale E. Sh., u gjobit me 510 mijë lekë, ndërsa nga verifikimet rezultoi se nuk dispononte në bord dokumentacionin e kërkuar ligjor.
Policia e Shtetit deklaroi se kontrollet dhe patrullimet detare do të vijojnë në të gjithë hapësirën detare të qarkut Vlorë, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe parandalimin e shkeljeve ligjore.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve dhe pushuesve të denoncojnë çdo rast që cenon sigurinë detare dhe publike, duke garantuar reagim të menjëhershëm në përputhje me ligjin.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






