Transmetuar më 14-07-2026, 17:32

Tiranë, 14 korrik 2026 – Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar pas incidentit të ndodhur pranë ambienteve të Kryesisë së Kuvendit, ku u përfshi në një përplasje me një gazetar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe pretendon se ai dhe deputetë të tjerë të mazhorancës ishin objekt i një provokimi të organizuar, duke akuzuar gazetarin dhe një person tjetër se kanë vepruar në bashkëpunim.

Sipas Braçes, më herët gjatë ditës i njëjti person kishte fyer dhe ofenduar deputetët Sara Mile dhe Ervin Hoxha, ndërsa gazetari kishte filmuar ngjarjen. Ai pretendon se më vonë i ka parë të dy së bashku pranë hyrjes së Kuvendit dhe se, kur është afruar, ata janë drejtuar drejt tij.

Deputeti socialist shprehet se zgjati dorën për të krijuar distancë me gazetarin, duke pranuar se e shtyu pasi, sipas tij, ky iu afrua shumë pranë. Braçe shton se personi tjetër vijoi ta ofendonte, ndërsa ai iu përgjigj me fjalë të ashpra.

"Nuk kam problem të kërkoj ndjesë kur gaboj, por kujt t’i kërkoj ndjesë, gazetarit apo sulmuesit? U bë kohë që janë një", shkruan Braçe në reagimin e tij.

Ai pretendon gjithashtu se disponon pamje filmike që, sipas tij, tregojnë momentet e incidentit me kolegët e tij dhe praninë e gazetarit së bashku me personin që e akuzon si provokator.

Lidhur me ngjarjen nuk ka ende një reagim publik nga gazetari i përfshirë në incident, ndërsa rrethanat e plota mbeten për t’u sqaruar.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit