

Tiranë, 14 korrik 2026 – Qeveria ka propozuar një projektligj të ri që synon të reformojë mënyrën e administrimit dhe shitjes së pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nga aktivitetet kriminale dhe korrupsioni. Drafti, i përbërë nga 11 nene, parashikon ndryshime në funksionimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), duke zgjeruar kompetencat e saj dhe duke përfshirë për herë të parë edhe kriptomonedhat në regjimin e administrimit shtetëror.
Sipas projektligjit, monedhat virtuale do të njihen zyrtarisht si pasuri e luajtshme, duke krijuar bazën ligjore për sekuestrimin, administrimin dhe shitjen e tyre sipas procedurave që do të përcaktohen me akte nënligjore të Këshillit të Ministrave.
Nisma vjen pas rasteve të hetuara nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila gjatë vitit 2025 sekuestroi dhe konfiskoi asete me vlerë rreth 45.4 milionë euro, ku një pjesë e konsiderueshme përbëhej nga kriptomonedha. Sipas SPAK, mungesa e një infrastrukture shtetërore për ruajtjen dhe administrimin e këtyre aseteve krijoi vështirësi praktike, duke kërkuar bashkëpunim me autoritete dhe platforma ndërkombëtare.
Projektligji parashikon gjithashtu zgjerimin e fushës së veprimit të AAPSK-së, e cila do të administrojë jo vetëm pasuritë e sekuestruara nga organet e drejtësisë, por edhe ato të bllokuara me vendime të organeve administrative, përfshirë ndërtimet pa leje.
Një tjetër risi është krijimi i një fondi të posaçëm për administrimin e objekteve pa leje të konfiskuara, me synimin që këto prona të përdoren për interesa publike, strehim social ose projekte në dobi të komunitetit.
Drafti synon gjithashtu të thjeshtojë procedurat e shitjes së pasurive të sekuestruara, duke i kaluar AAPSK-së kompetencën për zhvillimin e ankandeve dhe lidhjen e kontratave të shitjes. Sipas qeverisë, kjo pritet të shkurtojë afatet administrative, të rrisë efikasitetin e procesit dhe të përshpejtojë kalimin e të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Projektligji parashikon gjithashtu që shpenzimet për administrimin e pasurive në sekuestro të mbulohen mbi bazën e studimeve të tregut dhe të financohen nga të ardhurat që gjenerohen nga administrimi i tyre, pa krijuar barrë shtesë për buxhetin e shtetit.
Nëse miratohet, projektligji do të krijojë për herë të parë një kuadër të plotë ligjor për administrimin e kriptomonedhave të sekuestruara dhe do të ndryshojë mënyrën e menaxhimit të pasurive të konfiskuara në Shqipëri.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






