Transmetuar më 14-07-2026, 16:40

Tiranë, 14 korrik 2026 – Partia Demokratike ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe për Administratën Publike dhe Vetëqeverisjen Lokale, Snezhana Paunović, e cila tha se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte "spastruar etnikisht Kosovën".

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo, e dënoi deklaratën e ministres serbe, duke e cilësuar atë si "raciste" dhe "antishqiptare". Sipas saj, deklarata përbën nxitje të urrejtjes dhe bie në kundërshtim me parimet themelore të të drejtave të njeriut.

PD kërkon që Snezhana Paunović të shpallet "non grata" dhe të përballet me procedura ligjore për nxitje të gjenocidit, duke argumentuar se këto janë masat që duhen ndërmarrë ndaj një retorike të tillë.

Në të njëjtën deklaratë, Partia Demokratike kritikoi edhe qëndrimin e qeverisë shqiptare, duke e akuzuar për mungesë reagimi ndaj deklaratave të ministres serbe.

Deklarata e Snezhana Paunović ka shkaktuar reagime të shumta në Shqipëri, Kosovë dhe Luginën e Preshevës, ndërsa më herët edhe deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se do të kërkojë shkarkimin e saj nga detyra.

Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet serbe lidhur me kërkesat për shkarkimin e ministres apo ndaj deklaratave të saj.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit