

Tiranë, 14 korrik 2026 – Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe për Administratën Publike dhe Vetëqeverisjen Lokale, Snežana Paunović, e cila deklaroi se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte "spastruar etnikisht Kosovën".
Në një reagim publik, Spiropali e cilësoi deklaratën si të papranueshme dhe fyese për viktimat e luftës në Kosovë, duke theksuar se është e papranueshme që një zyrtare e një vendi kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian të përdorë një retorikë të tillë.
"Zoti e ruajt këtë monstër që duartroket dhe glorifikon krimet. Ky nuk është mendim politik. Ky është barbarizëm verbal", shprehet Spiropali në reagimin e saj.
Ajo thekson se Evropa nuk mund të qëndrojë në heshtje përballë deklaratave që, sipas saj, justifikojnë ose shprehin keqardhje se krimet e luftës nuk janë kryer në përmasa edhe më të mëdha.
Spiropali nënvizon se liria e Kosovës u fitua me sakrifica dhe gjak, ndërsa mbrojtja e kujtesës së viktimave përbën, sipas saj, një detyrim moral dhe politik për Evropën.
Në përfundim të reagimit, ajo thekson se Serbia, nëse synon seriozisht integrimin në Bashkimin Evropian, nuk mund të tolerojë një retorikë të tillë nga anëtarët e qeverisë së saj, pasi ajo jo vetëm që dëmton imazhin e vendit, por rrezikon edhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëjetesën paqësore në rajon.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






