Transmetuar më 14-07-2026, 16:04

Beograd, 14 korrik 2026 – Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka kërkuar shkarkimin e ministres për Administratën Publike dhe Vetëqeverisjen Lokale, Snezhana Paunoviç, pas deklaratës së saj se, po të kishte qenë në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviç në vitin 1998, do ta kishte "spastruar etnikisht Kosovën".

Përmes një reagimi publik, Kamberi e cilësoi deklaratën si "skandaloze" dhe "tërësisht të papranueshme", duke njoftuar se do të iniciojë një kërkesë zyrtare për shkarkimin e ministres në Parlamentin e Serbisë.

Ai bëri të ditur gjithashtu se i është drejtuar me shkresë zyrtare ambasadave ndërkombëtare në Beograd, duke kërkuar reagim ndaj deklaratës së ministres.

Sipas Kamberit, deklarata nuk mund të trajtohet si një rast i izoluar, por është pasojë e, sipas tij, mohimit sistematik të krimeve të luftës, glorifikimit të personave të dënuar për krime lufte, relativizimit të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe revizionizmit historik.

Deputeti shqiptar theksoi se deklarata të tilla krijojnë pasiguri te komunitetet pakicë në Serbi, veçanërisht te shqiptarët e Luginës së Preshevës, dhe bien ndesh me detyrimet që Serbia ka si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të pakicave.

"Në cilësinë e deputetit në Parlamentin e Republikës së Serbisë, do të inicioj kërkesën për shkarkimin e ministres. Në të kundërtën, heshtja dhe mungesa e veprimit do të kuptohen si miratim i deklaratës së saj dhe si qëndrim zyrtar i të gjithë Qeverisë", deklaroi Kamberi.

Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Qeveria e Serbisë lidhur me kërkesën e deputetit shqiptar apo me deklaratën e ministres Snezhana Paunoviç.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit