Transmetuar më 14-07-2026, 15:59

Tiranë, 14 korrik 2026 – Policia e Shtetit njofton se gjatë muajit qershor dhe dy javëve të para të korrikut 2026 janë arrestuar ose proceduar penalisht 29 persona, të dyshuar si autorë të zjarrvënieve në zona të ndryshme të vendit.

Sipas Policisë, strukturat në terren vijojnë kontrollet dhe hetimet me qëllim parandalimin e zjarreve, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave që ndezin ose tentojnë të ndezin zjarre, duke shkaktuar dëme në sipërfaqe toke, bimësi, pemëtari, prona, si dhe duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë dy persona dhe është proceduar penalisht një tjetër, të dyshuar për tre raste zjarrvënieje në Kavajë, Vorë dhe Mallakastër.

Në Kavajë, u arrestua shtetasi S. Ç., 51 vjeç, pasi zjarri i ndezur në tokën e tij dyshohet se përfshiu kullota dhe dogji rreth 300 pemë agrumesh dhe ullinjsh në fshatin Sterbeg.

Në Vorë, në pranga përfundoi A. D., 43 vjeç, i dyshuar se zjarri i ndezur në një sipërfaqe toke në pronësi të një shtetasi tjetër dogji një parcelë të mbjellë me pemë frutore në fshatin Gjokaj.

Ndërsa në Mallakastër, Policia referoi materialet në Prokurori dhe nisi procedim penal ndaj O. B., 39 vjeç, pasi gjatë tërheqjes së një automjeti të aksidentuar me karrotrec dyshohet se shkëndijat elektrike shkaktuan një zjarr, i cili dogji dhjetëra pemë arre në fshatin Romës.

Materialet procedurale janë referuar në prokuroritë kompetente për vijimin e veprimeve hetimore.

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve, fermerëve dhe pronarëve të tokave bujqësore apo kullotave të shmangin çdo rast të ndezjes së zjarrit, duke theksuar se djegia e mbetjeve në këto sipërfaqe është një praktikë e rrezikshme dhe e dënueshme me ligj. Gjithashtu, autoritetet ftojnë qytetarët të denoncojnë çdo rast të dyshuar të zjarrvënies, duke garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit