Transmetuar më 14-07-2026, 15:57

Pejë, 14 korrik 2026 – Gjykata Themelore e Pejës ka shpallur vendimin ndaj ish-infermieres Aurona Pelaj, e cila u bë e njohur në vitin 2022 pas publikimit të një videoje ku shfaqej duke ushtruar dhunë ndaj të moshuarës Minire Nura në shtëpinë e të moshuarve “Orenda”.

Sipas aktgjykimit, Pelaj është dënuar me 2 vjet e 3 muaj burgim. Në këtë dënim do të llogaritet edhe periudha e paraburgimit, nga 2 nëntori deri më 24 nëntor 2022, ndërsa pjesa e mbetur e dënimit do të ekzekutohet pasi vendimi të marrë formë të prerë.

Gjykata ka vendosur gjithashtu t’i ndalojë Aurona Pelajt ushtrimin e profesionit të infermieres për një periudhë prej pesë vitesh.

Ndërkohë, e pandehura tjetër, Altina Rexhepi, e cila shfaqej në videon virale duke mbajtur duart e të moshuarës gjatë incidentit, është shpallur e pafajshme dhe është liruar nga akuza.

Rasti shkaktoi reagime të forta në opinionin publik në Kosovë dhe më gjerë, pas publikimit të pamjeve që dokumentonin dhunën ndaj Minire Nurës.

E moshuara Minire Nura ndërroi jetë më 31 maj 2024. Lajmi u konfirmua në atë kohë nga avokati i saj, i cili deklaroi: "Po, mund të konfirmoj se ka ndërruar jetë", pa dhënë detaje të mëtejshme mbi shkaqet e vdekjes.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit