

Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për një prej rojeve private të arrestuara pas përplasjes me protestuesit në Zvërnec, më 31 maj.
Gazmend Vathi, i cili ishte lënë në masën “arrest me burg” nga Gjykata e Vlorës, tashmë do të qëndrojë në “arrest shtëpie” pas vendimit të Apelit.
Ndërkohë, për rojen tjetër private, Artur Grani, gjykata ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Në të njëjtën kohë, vijon shqyrtimi i ankimit të pronarit të kompanisë së sigurisë private Major Security, Geraldo Biba.
Përplasjet në Zvërnec ndodhën gjatë një proteste të qytetarëve më 31 maj, ku pati tensione mes protestuesve dhe punonjësve të sigurisë private. Gjatë incidentit, një qytetar u tërhoq zvarrë nga rojet private, ndërsa në vendngjarje ndodheshin edhe efektivë të Policisë së Shtetit.
Sipas raportimeve, gjatë tubimit është përdorur edhe spraj piperi, duke përshkallëzuar situatën.
Ngjarja solli reagime publike dhe u pasua nga shkarkimi i drejtorit të Policisë së Vlorës, Elidon Çela. Pas përplasjes, në zonë nisën një seri protestash qytetare që vijojnë ende.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






