Transmetuar më 14-07-2026, 14:53

Drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, është shkarkuar nga detyra dhe është kallëzuar penalisht pas konstatimit të parregullsive gjatë një kontrolli financiar në këtë filial.

Lajmi është bërë i ditur nga Posta Shqiptare, e cila njoftoi se verifikimet e kryera nga strukturat e kontrollit të brendshëm kanë evidentuar shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave.

Sipas institucionit, pas konstatimit të problematikave janë marrë masa administrative ndaj personave përgjegjës dhe çështja është referuar pranë organit të akuzës për hetim të mëtejshëm.

Burime paraprake bëjnë me dije se dyshimet lidhen me një abuzim financiar që mund të kapë vlerën e rreth 3 milionë eurove, ndërsa hetimet pritet të përcaktojnë përgjegjësitë konkrete dhe masën e dëmit të shkaktuar.

Në një reagim zyrtar, Posta Shqiptare sqaroi se fondet objekt verifikimi nuk kanë lidhje me pagesat e pensioneve apo fondet e pensionistëve.

“Drejtoria e Përgjithshme, nëpërmjet Drejtorisë Ekonomike, bazuar në mospërputhje të konstatuara gjatë rakordimit të fondeve dhe raportimeve financiare, ka ushtruar një kontroll në Filialin Durrës. Nga verifikimet e kryera janë evidentuar parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave”, thuhet në njoftimin e institucionit.

Posta Shqiptare bëri të ditur gjithashtu se ka vënë në dispozicion të organeve ligjzbatuese të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për zbardhjen e plotë të rastit.

Institucioni deklaroi se mbetet i angazhuar në zbatimin e një politike të tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, shpërdorimit të detyrës apo abuzimit me fondet publike.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit