Transmetuar më 14-07-2026, 14:41

Nëna e 17-vjeçares që dyshohet se u dhunua nga tre vajza në Fier ka rrëfyer gjendjen e rënduar emocionale që, sipas saj, po përjeton familja pas ngjarjes. Në një intervistë për News24, ajo tha se vajza e saj vazhdon të jetë e tronditur, ndërsa familja kërkon që rasti të zbardhet dhe autorët të mbajnë përgjegjësi.

Sipas saj, fillimisht kishte vënë re shenja dhune në trupin e së bijës, por kjo e fundit nuk kishte pranuar të tregonte se çfarë kishte ndodhur.

"Në fytyrë kishte shenja, syrin e nxirë, flokët e shkulur dhe mavijosje në trup. U përpoqa ta pyesja disa herë, por nuk fliste. Vetëm pasi mësova për videon që po qarkullonte në rrjetet sociale, ajo më tregoi se çfarë kishte ndodhur", tha nëna.

Ajo tregoi se, pasi vajza i rrëfeu ngjarjen, iu drejtuan Policisë dhe kallëzuan rastin. Sipas saj, familja priti disa ditë zhvillime nga autoritetet, ndërsa vajza shfaqi shenja të rëndimit të gjendjes psikologjike.

"Në komisariat bëmë denoncimin dhe treguam edhe vendin ku kishte ndodhur ngjarja. Kaluan disa ditë dhe vajza u rëndua psikologjikisht. U riktheva në polici për të pyetur mbi ecurinë e hetimeve, sepse kërkoja vetëm të zbardhej rasti", deklaroi ajo.

Nëna tha se publikimi i videos së dhunës ka qenë momenti më i vështirë për të dhe familjen.

"Prej një muaji nuk më zë gjumi. Sa herë e kujtoj videon, dëgjoj vajzën time duke thirrur ‘o ma’ dhe nuk gjej qetësi. Kam trokitur në Policinë dhe Prokurori, sepse kërkoj vetëm drejtësi për fëmijën tim", u shpreh ajo.

Ajo theksoi se vajza e saj nuk kishte konflikte me askënd dhe bëri thirrje që rasti të trajtohet me seriozitet nga institucionet përgjegjëse.

Ngjarja po hetohet nga autoritetet, ndërsa procedurat ligjore ndaj personave të dyshuar për përfshirje në dhunë janë në vijim.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit