Transmetuar më 14-07-2026, 11:22

Ylli Zalla, i shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit në kuadër të hetimeve për atentatin e ndodhur në nëntor të vitit të kaluar në Rinas, ku humbën jetën Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, ka reaguar sërish publikisht, duke mohuar çdo përfshirje në ngjarje.

Në një intervistë për gazetarin Spartak Koka, Zalla, i cili ndodhet në arrati, deklaroi se në momentin e atentatit ndodhej në banesën e tij në Fushë-Krujë dhe më pas kishte lëvizur drejt Patokut. Sipas tij, për ngjarjen është informuar vetëm pasi është kthyer dhe ka ndjekur raportimet në media.

Ai pretendon se lëvizjet e tij mund të verifikohen përmes kamerave të sigurisë në zonë dhe se kontrollet e kryera nga Policia në banesën dhe ambientet në pronësi të tij nuk kanë zbuluar prova që e implikojnë në atentat.

"Nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje. Nuk i njoh autorët, nuk i kam shitur askujt armë apo automjete. Për ngjarjen kam mësuar vetëm nga televizori", deklaroi Zalla.

Gjatë intervistës, ai hodhi akuza ndaj Policisë së Shtetit, duke pretenduar se është përfshirë padrejtësisht në hetim për të mbyllur dosjen e atentatit. Gjithashtu, ai deklaroi se është vënë në shënjestër edhe nga persona që, sipas tij, lidhen me viktimat e ngjarjes, të cilët i kanë kërkuar të betohej se nuk kishte lidhje me krimin.

Zalla u shpreh se është i gatshëm t’u dorëzohet autoriteteve, me qëllim, sipas tij, që të zbardhet e vërteta rreth atentatit në Rinas.

"Do të dorëzohem që të dalë e vërteta dhe të zbardhet ngjarja. Nuk kam lidhje me atentatin dhe dua që kjo të provohet", deklaroi ai.

Ai ngriti gjithashtu pretendime të tjera ndaj institucioneve shtetërore dhe personave të tretë, duke përfshirë akuza për bashkëpunim me grupe kriminale dhe plane për eliminimin e tij. Deri më tani, këto deklarata nuk janë konfirmuar nga autoritetet dhe mbeten pretendime të bëra prej tij.

Ndërkohë, Policia e Shtetit dhe Prokuroria vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të atentatit në Rinas dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në ngjarje.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit