

TIRANË – Aktori shqiptar Klodian Hoxha do të jetë pjesë e kastit të një seriali serb që pritet të transmetohet në televizionin publik të Serbisë.
I ftuar në emisionin “Në Shtëpinë Tonë” në Top Channel, Hoxha tregoi disa detaje nga rruga që e çoi drejt këtij projekti, duke zbuluar se fillimisht kishte marrë një ofertë për një rol tjetër, por kishte hezituar për shkak të gjuhës.
“Një agjent më shërbeu për të kaluar kufijtë. Unë kisha bërë një audicion për një rol tjetër, por ishte serbisht dhe në fillim e refuzova, sepse mendova që nuk e bëja dot për shkak të gjuhës. Më pas më çoi një rol tjetër ku flitej shqip, anglisht dhe gjermanisht”, tregoi aktori.
Hoxha bëri të ditur se në serial do të interpretojë rolin e një personazhi me peshë.
“Unë luaj rolin e një bosi, që jetoj në Beograd”, u shpreh ai, pa zbuluar më shumë detaje rreth karakterit që do të sjellë në ekran.
Një projekt shqiptar drejt Kanës
Përveç këtij angazhimi ndërkombëtar, aktori zbuloi se po punon edhe për një projekt personal në fushën e kinematografisë.
Ai tha se së shpejti synon të realizojë një film shqiptar ku do të jetë i përfshirë edhe në produksion, me ambicien për ta çuar projektin në festivale të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë Festivalin e Filmit në Kanë.
“Po mundohemi të bëjmë diçka tonën, nga ana e produksionit. Është diçka shumë interesante. Kemi dëshirë të bëjmë një film shqiptar ku do të jem edhe pjesë e produksionit”, deklaroi Hoxha.
Klodian Hoxha është një nga aktorët shqiptarë me eksperiencë në teatër dhe kinema, i diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, ndërsa vitet e fundit ka zgjeruar aktivitetin e tij edhe drejt projekteve ndërkombëtare dhe produksionit filmik.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






