Transmetuar më 14-07-2026, 09:40

TIRANË – Shqipëria vijon të renditet ndër vendet e Europës me numrin më të ulët të shtretërve spitalorë në raport me popullsinë, sipas të dhënave të fundit për kapacitetet e sistemit publik shëndetësor.

Në vitin 2024, në institucionet publike të shërbimit spitalor në vend ishin në dispozicion 8.911 shtretër, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Me një popullsi prej rreth 2.39 milionë banorësh, kjo përkthehet në 372 shtretër për 100 mijë banorë.

Krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, Shqipëria mbetet nën mesataren evropiane prej 507 shtretërish për 100 mijë banorë, ndërsa është pas edhe disa vendeve të rajonit.

Në Ballkan, numrin më të lartë të shtretërve spitalorë e ka Serbia, me rreth 606 shtretër për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me rreth 452 shtretër dhe Mali i Zi me 387 shtretër.

Rritja e treguesit lidhet më shumë me rënien e popullsisë

Edhe pse treguesi është përmirësuar krahasuar me një dekadë më parë, kjo nuk ka ardhur vetëm nga shtimi i kapaciteteve spitalore.

Në vitin 2014, Shqipëria kishte 8.295 shtretër spitalorë, ose rreth 296 shtretër për 100 mijë banorë. Pas dhjetë vitesh, numri i shtretërve është rritur me rreth 7.4%, por përmirësimi i raportit është ndikuar kryesisht nga tkurrja e popullsisë me rreth 400 mijë banorë gjatë kësaj periudhe.

Presion më i madh mbi spitalet

Pavarësisht rënies së numrit të banorëve, kërkesa për shërbime shëndetësore vijon të rritet për shkak të barrës së sëmundjeve dhe plakjes së popullsisë.

Sistemi shëndetësor përballet gjithashtu me mungesën e personelit mjekësor, e ndikuar edhe nga emigrimi i profesionistëve të shëndetit.

Një tjetër problem mbetet përqendrimi i shërbimeve të specializuara në Tiranë. Shumë spitale rajonale kanë kufizuar ndërhyrjet komplekse, duke bërë që rastet më të vështira të drejtohen drejt spitaleve kryesore në kryeqytet dhe duke rritur ngarkesën mbi to.

Të dhënat tregojnë se, pavarësisht disa përmirësimeve në tregues, kapacitetet spitalore të Shqipërisë vijojnë të jenë ndër më të ulëtat në raport me popullsinë në Europë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit