Transmetuar më 14-07-2026, 07:46

TIRANË – Një debat i fortë u zhvillua në një emision televiziv mes deputetes së Partisë Socialiste, Sara Mila, dhe aktivistes Sidorela Vatnikaj, lidhur me targetimin e bizneseve që perceptohen si të afërta me qeverinë dhe kufijtë e lirisë së shprehjes në rrjetet sociale.

Vatnikaj e cilësoi bojkotin dhe kritikat ndaj bizneseve si një formë legjitime proteste, duke argumentuar se disa sipërmarrës janë pozicionuar publikisht në mbështetje të qeverisë dhe kundër protestuesve.

"Në momentin kur një person vihet 100% në shërbim të propagandës qeveritare për të sharë dhe denigruar protestuesit, kjo është një formë proteste shumë legjitime," u shpreh ajo.

Deputetja Sara Mila e kundërshtoi këtë qëndrim, duke e cilësuar të papranueshme nxitjen e fushatave kundër bizneseve.

"Po ndodh një çmenduri e madhe që po legjitimohet nën petkun e lirisë së shprehjes. Të shkosh e të sulmosh bizneset shqiptare që janë ngritur me punë, nuk është normale," deklaroi Mila.

Në një moment të debatit, pas ndërhyrjes së Vatnikajt me komentin "me djersën e ballit të shqiptarëve", deputetja socialiste reagoi:

"Moj zonjë, nuk e cakton ti me djersën e kujt janë ngritur. Nuk mund të paragjykosh pa fakte."

Diskutimi u përqendrua edhe te komentet dhe vlerësimet negative ndaj bizneseve në platformat online. Mila tha se në vendet e Bashkimit Evropian ekzistojnë rregulla që kufizojnë abuzimin me komentet dhe fushatat e organizuara kundër bizneseve, ndërsa Vatnikaj kërkoi të dinte nëse një legjislacion i tillë ekziston edhe në Shqipëri.

Momenti më i debatueshëm erdhi kur deputetja e PS-së deklaroi:

"Ju jeni të lirë, na gjuani me miell, me vezë… por rrini rehat se qeveria nuk ju vret."

Kjo deklaratë u kundërshtua menjëherë nga Vatnikaj, e cila kërkoi sqarime mbi kuptimin e saj, duke e cilësuar të papërshtatshme krahasimin.

Debati vijoi me replika të forta mes dy palëve mbi lirinë e protestës, përgjegjësinë në rrjetet sociale dhe raportin mes politikës, bizneseve dhe institucioneve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit