

TIRANË – Baret dhe restorantet në Shqipëri po përballen me një rënie të ndjeshme të konsumit gjatë sezonit turistik, ku sipas Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, qarkullimi në muajin qershor ka rënë me 30–35% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas kryetarit të shoqatës, Enri Jahja, situata është ndikuar nga disa faktorë, ku ndër më të rëndësishmit renditen aksionet e SPAK kundër pastrimit të parave, zgjerimi i hoteleve me paketë "all inclusive" dhe profili i turistëve që vizitojnë vendin.
SPAK ka ndikuar te konsumi
Jahja shprehet se hetimet ndaj grupeve kriminale për pastrim parash kanë ndikuar në uljen e konsumit, veçanërisht në zonat bregdetare të jugut.
Sipas tij, individë që më parë shquheshin për shpenzime të larta në bare dhe restorante janë bërë më të rezervuar për t’u ekspozuar në ambiente publike, duke sjellë një tkurrje të konsumit, sidomos për pijet dhe shërbimet me vlerë të lartë.
Hotelet "all inclusive" po ndryshojnë tregun
Një tjetër faktor që po ndikon në aktivitetin e restoranteve është shtimi i strukturave akomoduese që ofrojnë paketa "all inclusive", kryesisht në bregdetin e jugut.
Turistët që zgjedhin këto paketa konsumojnë vaktet brenda hotelit, duke reduktuar ndjeshëm frekuentimin e restoranteve lokale. Efekti, sipas shoqatës, ndihet më shumë në zonën e Ksamilit.
Turistët low cost shpenzojnë më pak
Shoqata vlerëson gjithashtu se Shqipëria vijon të tërheqë kryesisht turistë low cost, të cilët janë më të kujdesshëm me shpenzimet dhe preferojnë të gatuajnë ose të konsumojnë ushqim në apartamentet ku janë akomoduar, në vend që të frekuentojnë restorantet.
Çmimet mbeten të pandryshuara
Pavarësisht rënies së konsumit, sipas Enri Jahjës, këtë sezon nuk është regjistruar rritje e çmimeve në bare dhe restorante.
Shpenzimi mesatar për një klient në restorant luhatet nga 20 deri në 40 euro, në varësi të zonës dhe shërbimit.
Sektori përballet edhe me mungesë punonjësish
Përveç rënies së konsumit, sektori vijon të përballet me mungesë të fuqisë punëtore. Shoqata e Bareve dhe Restoranteve vlerëson se aktualisht mungojnë 10 mijë deri në 20 mijë punonjës, pavarësisht shtimit të punësimeve të të huajve.
Në Shqipëri ushtrojnë aktivitet rreth 15.500 bare dhe restorante, nga rreth 22 mijë që ishin në vitin 2015, ndërsa sfida të tjera mbeten informaliteti dhe sigurimi i stafit të kualifikuar.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






