

Edmond Sula, i cili mbeti i vrarë me armë zjarri në fshatin Bërxull të Vorës, rezultonte më herët i përfshirë në një procedim penal për vrasjen e teknikut të kondicionerëve, Indrit Çelaj, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2019 në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë.
Sipas të dhënave të bëra publike, Sula kishte një lidhje shoqërore të afërt me Albano Kusin dhe Bujar Kusin, në pronën e të cilëve ndodhi vrasja e Çelajt.
Në atë periudhë, Edmond Sula u arrestua dhe u akuzua për “vrasje me dashje në bashkëpunim”, “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve” si dhe “përkrahje të autorit të krimit”, ku një nga personat e dyshuar ishte Albano Kusi.
Megjithatë, pavarësisht akuzave të ngritura ndaj tij, Sula arriti të lirohej gjatë procesit gjyqësor.
Në kuadër të hetimeve për vrasjen e Indrit Çelajt, u arrestuan edhe persona të tjerë, mes tyre Ferdinand Bakalli dhe Luan Çaka, për veprat penale “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Më pas, hetimet vijuan me arrestimin e Griseldo Kusit, Lorenc Veliajt dhe Bujar Kusit.
Ndërkohë, Albano Kusi vijon të jetë person në kërkim, ndërsa ndaj tij është dhënë një vendim dënimi nga Gjykata e Apelit Tiranë.
Edmond Sula u ekzekutua me armë zjarri në Bërxull të Vorës, ku sipas hetimeve paraprake dyshohet se është qëlluar nga distanca me armë tip snajper. Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






