

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti) ka regjistruar rezultatin më të lartë investues në historinë e tij gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026.
Sipas Kurtit, nga 1 janari deri më 30 qershor 2026, Trusti ka realizuar rreth 312 milionë euro kthim bruto nga investimet, duke shënuar një rekord të ri.
Ai bëri të ditur gjithashtu se periudha nga fillimi i vitit 2023 deri në fund të qershorit 2026 ka sjellë një kthim të përgjithshëm bruto prej rreth 956 milionë eurosh nga investimet.
Sipas të dhënave të publikuara nga kryeministri në detyrë, performanca vjetore e Trustit ka qenë:
88 milionë euro kthim në vitin 2023; 247 milionë euro në vitin 2024; 309 milionë euro në vitin 2025; 312 milionë euro vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026.
Kurti e ka cilësuar këtë rezultat si një lajm pozitiv për qindra mijëra kontribuues të fondit pensional, duke theksuar se menaxhimi i investimeve synon sigurinë financiare afatgjatë të qytetarëve.
Ai ka vlerësuar punën e Bordit, menaxhmentit dhe stafit të Trustit, ndërsa ka bërë të ditur se vlera totale e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës ka arritur në 4 miliardë e 245 milionë euro.
Kryeministri në detyrë ka deklaruar se qeveria do të vijojë punën për përmirësimin e kuadrit ligjor, duke respektuar pavarësinë e Trustit dhe duke synuar një menaxhim sa më të sigurt dhe transparent të kursimeve pensionale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






