

Aktivisti Ilir Xhemalaj është distancuar nga nisma për publikimin e vlerësimeve negative ndaj bizneseve në platformat e rezervimeve online, duke deklaruar se organizatorët e protestës nuk kanë nxitur një veprim të tillë.
Duke folur në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Off the Record” në A2, nga protesta para Kryeministrisë, e cila ka hyrë në ditën e 44-t, Xhemalaj tha se fokusi i protestuesve është përballja politike me kryeministrin Edi Rama.
“Sikurse kemi deklaruar, asnjë nga organizatorët e protestës nuk ka organizuar apo nuk ka shtyrë askënd që të bëjë këto review negative. Sheshi është i madh dhe mund të ketë rryma të ndryshme, por ne nuk kemi lidhje me këtë pjesë”, u shpreh ai.
Sipas Xhemalajt, hetimi i mijëra qytetarëve për vlerësime negative në internet do të ishte një masë e papranueshme. Ai argumentoi se qytetarët kanë të drejtën e shprehjes së mendimit të tyre përmes platformave online.
“Nuk mundet që në vitin 2026 të deklarohet se do të hetohen 10 mijë qytetarë për review negative. Nuk ka asnjë nen në Kodin Penal që e përcakton një gjë të tillë. Vlerësimet janë të lira dhe kjo pjesë është e papranueshme”, deklaroi ai.
Aktivisti theksoi se protesta nuk ka në objektiv individë apo biznese, por sipas tij, kundërshtimi kryesor lidhet me qeverisjen e kryeministrit Edi Rama.
“Ne nuk sulmojmë askënd. I vetmi person që ne duam të largohet është kryeministri Edi Rama, të cilin e konsiderojmë jolegjitim. Përballja jonë është me sistemin dhe me kryeministrin Rama”, tha Xhemalaj.
Ai paralajmëroi gjithashtu se protesta do të vijojë dhe se muajt e ardhshëm mund të sjellin zhvillime të rëndësishme politike.
“Protesta do të vazhdojë. Numrat janë të mirë dhe do të vijojmë përpara. Në shtator presim ndryshime të mëdha, ndoshta edhe më herët, por besoj se shtatori do të na gjejë me zhvillime të rëndësishme”, përfundoi ai.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






