

Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snežana Paunović, ka shkaktuar reagime të forta pas një deklarate të dhënë në një intervistë për median serbe *Kurir*, ku tha se, po të kishte qenë në pozitën e ish-presidentit serb Slobodan Millosheviç, do ta kishte "spastruar etnikisht Kosovën" në vitin 1998.
Gjatë intervistës, Paunović u shpreh:
"Për të metat dhe budallallëkun tonë, nëse do të kisha qenë e lirë si Millosheviqi, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998."
Deklarata ka ngjallur reagime të shumta për shkak të referimit ndaj spastrimit etnik, një praktikë e dënuar nga e drejta ndërkombëtare dhe e lidhur me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Gjatë konfliktit të viteve 1998–1999, forcat serbe kryen vrasje, masakra dhe dëbime masive të popullsisë civile shqiptare. Sipas të dhënave të dokumentuara nga organizata ndërkombëtare, mbi një milion shqiptarë të Kosovës u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, ndërsa mijëra civilë u vranë ose rezultojnë ende të zhdukur.
Deklarata e ministres është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe ka nxitur reagime të ashpra nga opinioni publik. Deri më tani nuk është raportuar për një reagim zyrtar nga autoritetet serbe lidhur me deklaratën, ndërsa nuk dihet nëse ministrja do të ofrojë sqarime apo do ta tërheqë atë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






