

BOLONJA – Një zhvillim dramatik është rregjistruar në gjyqin e apelit për vrasjen e Aurora Tilës, 13-vjeçares shqiptare e cila humbi jetën më 25 tetor 2024, pasi ra nga ballkoni i banesës së saj në Piacenza të Italisë. Gjatë seancës dëgjimore në Gjykatën e Apelit të Bolonjës, ish-i dashuri i njohur i vajzës ka rrëfyer për herë të parë se është ai autor i vrasjes, duke përmbysur plotësisht versionin e tij të mëparshëm.
I riu, i cili në shkallën e parë është dënuar me 17 vite burgim, pranoi përpara trupit gjykues se e kishte shtyrë qëllimisht Aurorën nga ballkoni, ndonëse motivi i saktë i këtij akti mbetet ende i paqartë. Përveç pranimit të fajësisë, ai u shpreh i penduar dhe kërkoi falje që zgjodhi të heshtë dhe të mohojë krimin për një kohë kaq të gjatë.
Ky rrëfim shënon një pikë kthese kritike për drejtësinë, duke rrëzuar strategjinë e mbrojtjes që insistonte në pafajësi gjatë fazës hetimore dhe gjykimit të parë në Gjykatën e të Miturve.
Pas përfundimit të seancës, avokati Emilio Malaspina, i cili përfaqëson nënën e viktimës, deklaroi se ky pranim i përgjegjësisë mbyll përfundimisht rrethin e fakteve mbi ngjarjen e rëndë. Ai shtoi se pala civile pret që Gjykata e Apelit të lërë në fuqi dënimin e shkallës së parë, duke e cilësuar atë si të përshtatshëm.
Gjatë procesit të deritanishëm, prokuroria ka administruar si prova edhe mesazhe e biseda në ChatGPT që Aurora u kishte dërguar familjarëve, të cilat dëshmonin përndjekjen e vazhdueshme dhe klimën e frikës në të cilën ajo jetonte përpara se t’i merrej jeta. Procesi gjyqësor ndaj autorit është shtyrë dhe pritet të rifillojë më 10 shtator.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






