Transmetuar më 13-07-2026, 20:06

TIRANË – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë këtë të hënë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Centrist Democrat International (IDC-CDI), organizatës më të madhe politike të qendrës së djathtë në botë, ku ai mban edhe postin e zëvendëspresidentit.

Në përfundim të këtij takimi të rëndësishëm, Berisha bëri me dije se me propozim të tij dhe me miratimin e presidentit të organizatës, Andres Pastrana, IDC-CDI do të ngrejë një grup të posaçëm pune. Ky grup do të ketë për mision mbledhjen e fakteve mbi krimin e organizuar, ekzistencën e narko-shtetit dhe lidhjet direkte të qeverisë shqiptare me kartelet ndërkombëtare të drogës.

Gjatë fjalës së tij përpara asamblesë, lideri i opozitës u përqendrua te ajo që e cilësoi si një "gjendje dramatike dhe një diktaturë autoritare" në Shqipëri, duke akuzuar mazhorancën për shtypjen e pluralizmit, burgosjen e udhëheqësve politikë të opozitës dhe shndërrimin e zgjedhjeve në farsa elektorale.

Në analizën e tij ekonomike dhe sociale, Berisha vuri theksin te fenomeni i "narko-euros", duke deklaruar se zhvlerësimi i monedhës europiane me 22% në tregun vendas vjen si pasojë e fluksit gjigant të parave të pista që hyjnë në vend. Sipas tij, Shqipëria ka mbetur eksportuesi kryesor i kanabisit në Europë, ndërsa portet janë të hapura për linjat e kokainës pa asnjë kontroll apo sekuestrim prej pesë vitesh.

Gjithashtu, kreu i PD-së denoncoi ndryshimet e fundit ligjore për zonat e mbrojtura, duke pretenduar se territori po trajtohet si çiflig dhe po iu dhurohet karteleve të drogës për projekte investimi me para ilegale.

Në mbyllje të deklaratës së tij, Berisha nënvizoi se ky udhëtim ishte tejet i vlefshëm për t’i treguar botës realitetin e vërtetë të Shqipërisë dhe për të çmitizuar propagandën e qeverisë aktuale, ndërsa vlerësoi edhe protestat e fundit të qytetarëve në Tiranë si një reagim të pastër anti-diktatorial.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit