

GRABIAN – Një situatë kritike është regjistruar në fshatin Tre Urat të njësisë Grabian, ku një zjarr masiv ka përfshirë hangaret e bagëtive, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Raportohet se dy magazina të mbushura me bazë ushqimore për blegtorinë janë shkrumbuar plotësisht, ndërsa përhapja e shpejtë e flakëve ka vendosur në rrezik serioz edhe një banesë private që ndodhet fare pranë vatrës së zjarrit.
Në vendngjarje kanë mbërritur me urgjencë dy automjete zjarrfikëse që po punojnë për izolimin e flakëve, të ndihmuara edhe nga forca të shumta të policisë që po monitorojnë situatën dhe po menaxhojnë perimetrin e sigurisë.
Përveç ushqimit të bagëtive, bilanci i dëmeve për dy familjet e prekura është tejet i rëndë. Zjarri ka djegur plotësisht edhe një traktor (zetor) si dhe vegla të ndryshme pune, duke goditur rëndë ekonominë e tyre bujqësore. Përhapja e rrufeshme e zjarrit është favorizuar ndjeshëm edhe nga era e fortë, gjë që ka vështirësuar lokalizimin e menjëhershëm të tij.
Sipas dëshmive të vetë banorëve, ata nuk e kanë vënë re fillimin e zjarrit ndonëse ndodheshin në shtëpi. Alarmi është ngritur vetëm kur flakët kanë marrë përmasa të mëdha dhe janë përhapur me shpejtësi nga magazina e parë drejt strukturës tjetër ngjitur.
Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, dyshimet kryesore për shkakun e këtij zjarri masiv bien mbi një defekt teknik në kabllot e rrymës elektrike.


Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






