Transmetuar më 13-07-2026, 19:30

Arbitri holandez Rob Dieperink ka ndërruar jetë në moshën 38-vjeçare, vetëm pak javë pasi u përjashtua nga lista e arbitrave të planifikuar për Kupën e Botës. Lajmi është konfirmuar nga Federata Holandeze e Futbollit (KNVB), e cila shprehu tronditjen dhe pikëllimin për humbjen e arbitrit me përvojë ndërkombëtare.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur shkakun e vdekjes.

Dieperink ishte arrestuar në muajin prill në Britaninë e Madhe në kuadër të një hetimi për një sulm seksual të dyshuar, pas një denoncimi të bërë nga një adoleshent. Sipas autoriteteve britanike, pas përfundimit të hetimeve nuk u gjetën prova të mjaftueshme për ngritjen e akuzave dhe çështja u mbyll pa pasoja ligjore.

Pavarësisht kësaj, FIFA vendosi ta përjashtonte nga lista e arbitrave të planifikuar për Kupën e Botës. Vetë Dieperink e kishte cilësuar vendimin zhgënjyes, duke deklaruar se kishte bashkëpunuar plotësisht me Policinë Metropolitane të Londrës, FIFA-n, UEFA-n dhe Federatën Holandeze të Futbollit, ndërsa kishte mohuar akuzat ndaj tij.

Sipas raportimeve, ngjarja e dyshuar kishte ndodhur në prag të një ndeshjeje të UEFA Conference League në Londër, ku arbitri ndodhej për angazhime zyrtare.

Në mesazhin e saj të ngushëllimit, KNVB e përshkroi Dieperink si një arbitër të respektuar dhe profesionist të përkushtuar, duke u shprehur ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të tij.

Rob Dieperink nisi karrierën si arbitër profesionist në vitin 2012, ndërsa prej vitit 2017 drejtonte ndeshje në Eredivisie. Ai ishte gjithashtu arbitër VAR në Kampionatin Evropian 2024 në Gjermani. Ndeshjen e fundit e arbitroi vetëm pak ditë para ndarjes nga jeta, në miqësoren mes Go Ahead Eagles dhe Apollon FC.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit