Transmetuar më 13-07-2026, 18:55

Ministria e Arsimit dhe Ministria e Ekonomisë kanë miratuar kalendarin e vitit shkollor 2026-2027, duke përcaktuar se procesi mësimor në arsimin parauniversitar do të nisë më 14 shtator 2026.

Sipas urdhrit të përbashkët të publikuar në Fletoren Zyrtare, mësimi në arsimin bazë dhe atë të mesëm të lartë do të përfundojë më 18 qershor 2027. Për maturantët, viti shkollor do të mbyllet më herët, më 4 qershor 2027, për t’i hapur rrugë zhvillimit të provimeve të Maturës Shtetërore.

Provimet e Maturës Shtetërore do të zhvillohen nga 7 deri më 28 qershor 2027, ndërsa provimet kombëtare të arsimit bazë janë planifikuar për periudhën 21–30 qershor 2027.

Sa i përket pushimeve, ato dimërore do të nisin më 24 dhjetor 2026 dhe do të zgjasin deri më 4 janar 2027. Nxënësit e arsimit bazë do të kenë gjithashtu pushime pranverore nga 29 marsi deri më 2 prill 2027.

Edhe për arsimin profesional është përcaktuar kalendari i ri. Mësimi do të nisë më 14 shtator për shumicën e programeve, ndërsa në disa programe të arsimit pas të mesëm procesi mund të fillojë deri në javën e tretë të tetorit.

Provimet përfundimtare për kualifikimet profesionale do të zhvillohen gjatë muajve maj dhe qershor, ndërsa Matura Profesionale do të mbahet në të njëjtën periudhë me Maturën Shtetërore, nga 7 deri më 28 qershor 2027.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit