

TIRANË – Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ndaj një letre anonime që, sipas tij, i është drejtuar nga një anëtar pa emër i Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë (LHSH).
Në reagimin e tij publik, Balla ka mohuar kategorikisht pretendimet se ka ndërhyrë në çështjet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë apo se ka kërkuar largimin, shkarkimin ose ndëshkimin e ndonjë hoxheje, myftiu apo kleriku fetar.
“Deklaroj në mënyrën më kategorike se nuk kam ndërhyrë kurrë dhe nuk kam kërkuar kurrë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shkarkimin, largimin apo ndëshkimin e asnjë hoxhe, myftiu apo kleriku fetar. Ky pretendim është i pavërtetë”, është shprehur Balla.
Ai u ka kërkuar autorëve të letrës që të bëjnë publike provat që mbështesin akuzat e tyre, ose në të kundërt të tërheqin pretendimet.
Balla ka kritikuar gjithashtu përdorimin e anonimatit, duke deklaruar se akuzat pa emër dhe pa prova nuk i shërbejnë debatit publik.
“Anonimati nuk është guxim qytetar; është mënyra më e lehtë për të hedhur baltë pa mbajtur përgjegjësi”, ka shkruar ai.
Kreu i grupit parlamentar socialist ka theksuar se politika dhe feja duhet të mbeten të ndara, ndërsa ka nënvizuar se ka respektuar autonominë e institucioneve fetare dhe lirinë e besimit.
Në përfundim të reagimit të tij, Balla ka deklaruar se Shqipëria garanton lirinë fetare dhe se shteti nuk duhet të ndërhyjë në jetën e komuniteteve fetare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






