Transmetuar më 13-07-2026, 17:40

TIRANË – Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ka reaguar për herë të parë ndaj pretendimeve se ai ka qenë një nga zyrtarët e qeverisë që ka marrë pjesë në një takim në Aruba me persona të përfshirë në aktivitete kriminale.

Gjiknuri ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë në Aruba dhe se nuk ka pasur kontakte me personat për të cilët është aluduar.

“Nuk kam qenë asnjëherë në Aruba, nuk kam takuar asnjëherë e askund dhe nuk kam pasur asnjë lidhje me personat për të cilët aludohet”, është shprehur Gjiknuri në reagimin e tij.

Ai ka akuzuar avokatin Arben Llangozi, i cili ka përmendur emrin e tij në lidhje me këtë çështje, për shpifje dhe ka deklaruar se do të ndjekë rrugën ligjore.

Gjiknuri ka theksuar se për shkak të funksioneve publike që ka mbajtur, emri i tij i është nënshtruar verifikimeve nga institucionet e drejtësisë dhe se, sipas tij, këto procese kanë konfirmuar pastërtinë e figurës së tij.

“E sfidoj publikisht Arben Llangozin të publikojë provat që mbështesin pretendimet e tij. Në të kundërt, ai duhet të tërhiqet publikisht nga këto deklarata”, ka deklaruar Gjiknuri.

Deputeti socialist ka bërë me dije se ka autorizuar avokatin e tij për përgatitjen e dokumentacionit për ngritjen e një padie për shpifje ndaj Arben Llangozit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit