Transmetuar më 13-07-2026, 17:22

TIRANË – Ilir Selmani, i akuzuar për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, është paraqitur këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme të Apelit, nën masa të rrepta sigurie.

Seanca gjyqësore është shoqëruar me tensione, ndërsa pas përfundimit të shqyrtimit të çështjes, gjykata ka bërë me dije se vendimi do të shpallet më 17 korrik.

Gjatë seancës, Selmani ka deklaruar se është i pafajshëm dhe ka mohuar çdo përfshirje në vrasjen e Malkos.

“Deklaroj që jam i pafajshëm, nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje”, mësohet të ketë deklaruar ai.

I akuzuari ka ngritur gjithashtu pretendime ndaj prokurorisë, duke e akuzuar për manipulim të dosjes hetimore.

Në sallën e gjyqit ka reaguar edhe nëna e Santiago Malkos, e cila ka kërkuar dënimin e Selmanit.

“Ky më ka vrarë djalin, të dënohet ose të më sillni djalin në shtëpi”, është shprehur ajo.

Selmani aktualisht ndodhet në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi ka përfunduar afati ligjor i paraburgimit. Më herët, ai ishte dënuar me 26 vite burg nga shkalla e parë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit