

TIRANË – Deputetja e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, ka shprehur shqetësimin për shtimin e gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve në rrjetet sociale, duke theksuar se kjo klimë po ndikon negativisht te qytetarët dhe bizneset.
Në një reagim publik, Çaushi deklaroi se publikimi i një fotografie apo videoje shoqërohet shpesh me komente fyese dhe sulme të organizuara, të cilat, sipas saj, nxisin urrejtje.
Deputetja u ndal edhe te komentet negative ndaj bizneseve, duke theksuar se dëmtimi i reputacionit të tyre prek jo vetëm pronarët, por edhe punonjësit dhe ekonominë.
Ajo kritikoi gjithashtu sulmet ndaj qytetarëve që zgjedhin të mos marrin pjesë në protesta, duke nënvizuar se secili duhet të ketë të drejtën të zgjedhë lirisht pa u përballur me presion apo ofendime.
"Protesta është një e drejtë dhe duhet respektuar. Por po aq duhet respektuar edhe e drejta e çdo qytetari për të zgjedhur vetë, për të lëvizur i lirë dhe për të jetuar pa presion apo intimidim", u shpreh Çaushi.
Në përfundim të reagimit të saj, deputetja theksoi se, sipas saj, një shoqëri demokratike nuk mund të ndërtohet mbi gjuhën e urrejtjes, linçimin publik dhe presionin ndaj qytetarëve apo bizneseve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






