

**PRISHTINË** – Këshilli i Bashkimit Evropian ka emëruar diplomatin gjerman Dirk Schübel si Përfaqësues të ri Special të Bashkimit Evropian për Kosovën. Mandati i tij do të nisë më 1 shtator 2026 dhe do të zgjasë fillimisht dy vjet.
Schübel do të pasojë në këtë detyrë diplomatin estonez Aivo Orav. Sipas njoftimit të Këshillit të BE-së, ai është një diplomat me përvojë të gjatë në institucionet evropiane dhe në diplomacinë gjermane, duke mbajtur disa poste të rëndësishme në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Komisionin Evropian dhe Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.
Aktualisht, Schübel drejton Divizionin për Rusinë në EEAS. Më herët ai ka shërbyer si i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për Partneritetin Lindor, si dhe si shef i Delegacionit të BE-së në Bjellorusi dhe Moldavi.
Sipas Këshillit të BE-së, mandati i tij do të përqendrohet në promovimin e një Kosove stabile, demokratike dhe multietnike, duke mbështetur perspektivën evropiane të vendit përmes angazhimit politik dhe komunikimit publik.
Në kuadër të detyrës së re, Schübel do të monitorojë progresin në prioritetet politike, ekonomike dhe të sigurisë, do të kontribuojë në forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, si dhe do të koordinojë angazhimin politik të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Ai gjithashtu do të ofrojë udhëzime politike për Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe do të mbështesë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me synim avancimin e normalizimit të marrëdhënieve, stabilitetit rajonal dhe fqinjësisë së mirë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






