

TIRANË – Ilir Selmanaj, i akuzuar si pjesë e grupit të njohur si klani "Duka" për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, është paraqitur këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nën masa të shtuara sigurie.
I shoqëruar nga forca të shumta policore, Selmanaj mori pjesë në seancën e zhvilluar në kuadër të procesit në Apelin e GJKKO-së. Ai ndodhet aktualisht në masën e sigurisë "arrest në shtëpi", pas tejkalimit të afateve të paraburgimit, ndërsa në shkallën e parë është dënuar me 26 vite burg.
Seanca zhvillohet pak kohë pasi Selmanaj i mbijetoi një atentati pranë banesës së tij, ngjarje që ka çuar në shtimin e masave të sigurisë gjatë paraqitjes së tij në gjykatë.
Çështja lidhet me vrasjen e ish-policit Santiago Malko, një nga atentatet më të bujshme të viteve të fundit. Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit 2019 në zonën e Xhamllikut, në Tiranë, teksa udhëtonte me automjetin e tij tip "BMW X5". Ai konsiderohej një person me precedentë penalë dhe ishte përfolur për lidhje me Ervis Martinajn, fati i të cilit mbetet ende i paqartë.
Për këtë ngjarje, Prokuroria e Posaçme ngriti akuza ndaj tetë personave, mes tyre Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmanaj, Ervis Metani, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica, të cilët akuzohen si pjesë e grupit kriminal të përfshirë në organizimin dhe ekzekutimin e atentatit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






