

GREQI – Një alarm i kuq shëndetësor është ngritur në qytetin e Lamias në Greqi, pasi dhjetëra qytetarë janë paraqitur me simptoma të dyshuara të helmimit nga bakteri i salmonelës. Autoritetet shëndetësore dhe inspektorët e ushqimit kanë nisur menjëherë një aksion të gjerë në terren për të zbuluar burimin e kontaminimit.
Sipas raportimeve nga mediat greke, përgjatë tri ditëve të fundit (nga 10 deri më 13 korrik), një numër i madh qytetarësh i janë drejtuar me urgjencë Spitalit të Lamias, duke shfaqur klinika të rënda si diarre, të vjella dhe temperaturë të lartë. Deri më tani, 12 pacientë janë shtruar për mjekim më të specializuar në Klinikën e Patologjisë dhe në repartin e shtrimit afatshkurtër. Megjithatë, numri real i të prekurve dyshohet të jetë shumë më i lartë, pasi dhjetëra të tjerë po kurohen në shtëpi nën asistencën e mjekëve privatë.
Pistat e hetimit epidemiologjik Sipas të dhënave të para, personat e helmuar nuk kanë konsumuar ushqim në të njëjtin vend, por në restorante të ndryshme të qytetit. Ky detaj ka bërë që hetuesit të përjashtojnë gabimin e një biznesi të vetëm dhe të fokusohen te një furnizues i përbashkët i lëndëve të para. Pista kryesore ku po dyshohet është distributori i mishit të pulës, i cili mund të ketë shpërndarë produkt të kontaminuar në rrjetin e hoteleri-turizmit të zonës.
Pas konfirmimit të parë laboratorik që rezultoi pozitiv për bakterin e salmonelës, Spitali i Lamias ka vënë në lëvizje Organizatën Kombëtare të Shëndetit Publik të Greqisë (EODY). Aktualisht, strukturat e shëndetit publik në rajonin e Fthiotidës kanë bllokuar bizneset e dyshuara dhe po marrin mostra të ushqimeve nëpër depo dhe kuzhina për të izoluar vatrën e infeksionit dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme në popullatë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






